Muaji i Ramazanit, nënkryetari i KMSH: I ofron njeriut një transformim të jashtëzakonshëm
Kjo e hënë shënon ditën e parë të muajit të madhërishëm të Ramazanit. Nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Lauren Luli i ftuar në “Mirëmëngjesi Shqipëri” deklaroi se muaji i Ramazanit është periudha më e rëndësishme për të gjithë besimtarët, ndërsa renditi dhe disa prej veçorive që përfitohen gjatë këtij muaji.
““Muaji i Ramazanit periudha më e rëndësishme për të gjithë besimtarët. Jo për lidhjen që ka besimtari me Allahun, por për aspektin individual. I ofron njeriut një transformim të jashtëzakonshëm. Besimtari përfiton shumë veçori. Rregullon marrëdhënien që ka me zotin, por përfiton shumë veti dhe virtyte, që janë rregullator i rëndësishëm në shoqërinë që jeton”, tha Luli.
Nënkryetari i KMSH-së instruktoi edhe besimtarët që po aplikojnë për herë të parë agjërimin, duke vënë theksin te të pasuri kujdes me sjelljen apo bisedat.
“Adhurimi i agjërimit është adhurim i thjeshtë. Mjafton të ndjekësh kalendarët, në të cilat tregohen dy orare ku duhet pasur kujdes, kur fillon agjërimi, deri në atë orar lejohet ngrënia dhe pirja dhe më pas njeriu privohet nga ngrënia pirja dhe marrëdhëniet intime dhe aty starton agjërimin e ditës deri në orën e mbrëmjes ku hapet iftari.
Ato që i plotëson këto janë edhe sjelljet, bisedat apo përkushtimi në adhurime që duhet të jetë më i ngjeshur dhe më korrekt në këto ditë”, u shpreh Luli.