Muça: Ky është fundi politik i partisë së Metës
Gazetari Flogert Muça vëren se nuk ka pasur një reagim qytetar për arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta.
Duke folur në emisionin “3D nga Alban Dudushi”, z. Muça krahasoi ndalimet e pjesëtarëve të tjerë të opozitës, si demokratët Sali Berisha dhe Ervin Salianji, dhe si u prit kjo në publik.
“Ajo që do ndodhë me Ilir Metën është një proces ligjor normal juridik. Ajo që do ndodhë politikisht me partinë e Ilir Metës mendoj se vlen të diskutohet dhe të thuhet si ka nisur. Në qoftë se për Ervin Salianjin kishte një reagim sado modest ose për Sali Berishën, ajo që vumë re sot është se për Ilir Metën nuk ka asnjë reagim qytetar. Më duket se ato sondazhe që e tregojnë në pëlqyeshmëri 5 për qind apo me 1,7 për qind në zgjedhjet e ardhshme sikur vërtetohen. Në kuptimin politik kam përshtypjen se ky është fundi politik i partisë së Ilir Metës. Partia e tij nuk është e organizuar në bazë të disa vlerave, parimeve dhe e strukturuar në terren. Ajo parti rrotullohej rreth interesave dhe njerëzve afër Ilir Metës dhe tani duket si një parti e vdekur, ku ka mbetur vetëm Vojo Kushi dhe avokati i opozitës së madhe të bashkuar, Ted Blushi dhe Genc Gjokutaj,” tha z. Muça.