Mundje: Mamiashvili -Valiev, zbuten tonet

Gjesti i presidentit të Federatës së Rusisë në Mundje, që është njëkohësisht dhe zëvendës president i Federatës Botërore të Mundjes, Mamashvili, ndaj kampionit të Europës, Shermen Valiev, vazhdon të bëjë jehonë. Ashtu sikurse kishte paralajmëruar një ditë më parë, Komiteti Olimpik Kombëtar ka lajmëruar nëpërmjet e-mailit Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, disa nga Federatat homologe të mundjes, si dhe ambasadat e akredituara në vendin tonë.
Por ndërkohë me një deklaratë të gjatë ka dalë dhe Federata Shqiptare e Mundjes, e cila është me idenë që tashmë duhen festuar medaljet e fituara nga Valiev dhe Abakarov në Kampionatin Europian të Bratislavës.
“Në një kohë kur vëmendja mediatike është përqendruar në një ngjarje të paprecedent, e cila padyshim ka peshën dhe rëndësinë e saj dhe është diskutuar gjerësisht, ne besojmë se është po aq thelbësore që të mos kalojnë në heshtje dy arritje madhore, që rikthejnë vëmendjen tek lavdia, përkushtimi dhe vlerat që sporti i jep Shqipërisë.
Sigurisht që me këtë ngjarje do të merremi, por sot fokusi ynë duhet të qëndrojë tek arritjet reale dhe të lavdishme që na ngrenë lart si komb. Këta dy sportistë të jashtëzakonshëm jo vetëm që na bëjnë krenarë, por bëjnë që emri i Shqipërisë të jetë i pranishëm në podiumet më të rëndësishme të botës, duke e vendosur vendin tonë përkrah fuqive më të mëdha të sportit ndërkombëtar”, thuhet fillimisht në deklaratën e Federatës Shqiptare të Mundjes.
E duke vlerësuar finalen e Valiev në peshën deri në 74 kilogram ndaj Sidakov, si dhe përballjen për medaljen e bronztë të Zelimkan Abakarov, Federata Shqiptare e Mundjes ka dhe një sërë mirënjohjesh. “Jemi thellësisht mirënjohës ndaj Federatës Botërore të Mundjes për mbështetjen e vazhdueshme, falënderues për trajnerët tanë të palodhur dhe për strategjinë e qartë që kanë ndjekur për të sjellë këto suksese të mëdha.
Një falënderim i veçantë edhe për të gjithë sportdashësit shqiptarë, të cilët qëndrojnë gjithmonë pranë sportistëve tanë dhe i mbështesin me zemër. Tani është momenti për të festuar me zemër! Sepse kur kampionët tanë ngjiten në podium, me ta ngjitet edhe flamuri dhe emri i Shqipërisë”, përfundon deklarata e Federatës Shqiptare të Mundjes, që duket se ka zbutur tonet ndaj ndërkombëtarëve, përtej incidentit Mamiashvili – Valiev.