Mungoi në seancat dhe komisionet parlamentare pasi ndodhet në “arrest shtëpie”, Kuvendi i ndërpret pagën Berishës
Kuvendi i ka ndërprerë rrogën e deputetit ish-kryeministrit Sali Berisha. Burime për RTSH 24 bëjnë me dije se Berishës i është ndërprerë rroga që prej janarit të këtij viti, ndërsa shkak është bërë mungesa e tij në seancat dhe komisionet parlamentare. Ish-kryeministri Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” që prej dhjetorit të vitit 2023.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi më 30 dhjetor të vitit të kaluar zëvendësimin e masës së sigurimit nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie nën mbikëqyrje policore ndaj Berishës, i cili ndodhet nën hetim për çështjen e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani.
Vendimi erdhi pasi për disa javë rresht, ish-kryeministri refuzoi të përmbushte masën e parë detyrim paraqitje, duke e quajtur si antikushtetuese.