Murtaja afrikane e derrave/ Mersini: Vrasës serial i mirëkualifikuar. Nëse prek, ngordhshmëria është 100%
Epidemiologu dhe veterineri Kujtim Mersini ka deklaruar në emisionin “Jetë Shqiptare” se murtaja afrikane e derrit është një vrasës serial i mirëkualifikuar për eliminimin e derrave.
Ai u shpreh se ngordhshmëria te derrat, nëse preken, është 100%.
“Sëmundje të tilla nuk janë të rrezikshme për njerëzit nga ana shëndetësore, por nga ana ekonomike. Nëse prek, gati 100% e tufës ngordh nga sëmundja. Kemi të bëjmë me një vrasës serial të mirëkualifikuar për të eleminuar derrat.
Produktet që origjinojnë nga derrat janë të sigurt, mund të konsumohen pa asnjë lloj problemi. Por kemi të bëjmë me një dëm ekonomik.
Është dëm që i shkaktohet xhepit të çdo qytetari”, tha Mersini.
Duke u ndalur më tej te pandemia e 2009-ës që u njoh si “gripi i derrit”, Mersini deklaroi se virusi origjinonte nda derrat por evoloi dhe u kthye në virus për njerëzit. Epidemiologu sqaroi më tej se gripi i derrave që qarkullon normalisht te derrat, nuk ka lidhje me murtajën afrikane të derrave dhe nuk prek as njerëzit dhe as kafshët e tjera.
“Ka mbetur në memorien tonë kolektive, pandemia e 2009-ës i shkaktuar nga gripi pandemik, “gripi i derrit”.
Ku OBSH shpalli pandemi globale. Në atë kohë virusi origjinonte nga derrat por evoloi dhe u kthye në virus për njerëzit.
Këtu është problemi në mendjen e njerëzve sepse e lidhin me këtë. Por gripi i derrave që qarkullon normalisht te derrat, nuk ka lidhje me murtajën afrikane të derrave dhe nuk prek as njerëzit dhe as kafshët e tjera”, sqaroi ai.
Shqipëria ka ndaluar importimin e derrave dhe pulave nga disa vende të Europës pasi janë të prekur nga “murtaja afrikane” dhe “gripi i shpendëve” e njohur si “Influenca Aviare”. Vendet me të cilat janë të ndaluar importi i derrave dhe pulave janë edhe fqinjët si Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mali i Zi dhe Greqia.
Sëmundja e Murtajës Afrikane të derrave (ASF), shkaktohet nga një virusi i familjes Asfaviridae dhe është shumë ngjitëse që prek derrat shtëpiak dhe ato të egër, ku shkalla e vdekshmërisë së të cilëve mund të arrijë deri në100%.
Kjo sëmundje nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve, por ka efekte shkatërruese në popullatën e derrave dhe ekonomi.