Muze në Spaç apo në Reps, idetë janë hedhur për konsultim publik, projekti 5 milion euro
Pas hedhjes në konsultim publik të dokumentit rreth planit të menaxhimit të ish- burgut të Spaçit u mbajt këtë të enjte( 2 maj) dëgjesa e parë publike me grupet e interesit.
Ndërtimi i një muzeu për të kaluarën në ish burgun e Spaçit zgjoi debate pikërisht për vendndodhjen e tij.
Propozimi është që Muzeu të ngrihet në Reps të Mirditës dhe jo në Spaç, sugjerim i cili zgjoi kundërshtime.
Përfaqësuesja e Fondacionit Italian, Gulia Avanza, teksa tha që kjo përzgjedhje nuk është përfundimtare, renditi arsyet e përzgjedhjes së Repsit si vendi i duhur për ndërtimin e muzeut.
“Janë një numër arsyesh përse kemi menduar Repsin si vendin e duhur për ndërtimin e Muzeut. Sepse është në afërsi të autostradës dhe që është i aksesueshëm në këtë mënyrë do të ruhet integriteti dhe ruajtja e Spaçit siç ka qenë, Me pak interpretim, pa rindërtuar, pa i dhënë shumë ndriçim, pra siç ka qenë. Arsyeja e dytë, ne duam që Spaçin ta mbajmë ta paprekur, sigurisht të përforcojmë godinat por ta lëmë ashtu siç ka qenë në kohën e diktaturës“, shprehet Avanza.
Plani i menaxhimit të ish- burgut famëkeq të Spaçit, parashikon ndër të tjera rikonstruksionin e godinave I cili është monument kulture i kategorisë së dytë prej 2007ës, e po ashtu edhe një strategji që kjo vendndodhje të thithë sa më shumë turistë, dhe njëkohësisht të jetë një hapësirë për të folur për të kaluarën komuniste.
Investimi fillestar deri më tani është parishikuar të jetë rreth 5 milion euro.