Muzeu i fotografisë “Marubi”, Gonxhja: Udhëtim i pazakontë në histori
Arkivi i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” ruan një koleksion prej më shumë se 500 mijë negativësh në xham, film rul e plan film, si dhe dokumente e objekte të fotografëve të koleksionit.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Gonxhja e konsideron këtë arkiv si një udhëtim i pazakontë në histori, procesi i konservimi të të cilit ka nisur falë mbështetjes së Ambasadës Gjermane në vendin tonë.
Në arkiv po kryhet një punë kolosale: procese konservimi, katalogimi dhe digjitalizimi. Ambasada Gjermane në Tiranë mundësoi financimin e materialeve të kompanisë Klug-Conversation, për sistemimin dhe mbrojtjen e arkivës sipas kushteve bashkëkohore.
Kjo mundëson zbatimin e një sistemi të ri konservimi të negativëve prej xhami, filmave rul, plan filmave, fotografive në letër si dhe dokumentave të cilat do të vendosen në zarfa dhe kuti të reja të dizenjuar sipas madhësive, cilësisë dhe standarteve përkatëse, duke respektuar parimin e konservimit të diktuar nga vetë autorët.
Një proces i tillë, i cili do të vijojë edhe në vitet e ardhshme, deri në zëvëndësimin e plotë të të gjithë materialeve të vjetra të konservimit, mundëson mbrojten e materialit arkivor dhe tejçimin e kësaj pasurie të trashëgimisë kulturore tek brezat e ardhshëm.