Muzeu “Marubi” uron me foton më të vjetër të Tiranës, shkrepur nga Pietro Marubbi, ku dallohet Xhamia e Et’hem Beut dhe Kulla e Sahatit
Një urim i veçantë vjen sot në ditën e Fitër Bajramit nga muzeu i fotografisë “Marubi”, Shkodër. Me fotografinë më të vjetër të Tiranës, shkrepur nga Pietro Marubbi, ku dallohet Xhamia e Et’hem Beut dhe Kulla e Sahatit, stafi i muzeut u uron besimtarëve myslimanë: Përshumvjet Fitër Bajramin.
Përgjatë viteve muzeu “Marubi” ka sjellë ekspozita, biseda, programe edukimi, botime dhe aktivitete të tjera që ndërlidhen patjetër me fotografinë dhe arkivin “Marubi”, zemrën e institucionit, por gjithmonë vëmendja është tek kultivimi, tek hulumtimi, tek hapja ndaj publikut e tek kujdesi ndaj studiuesve, vizitorëve, nxënësve e studentëve; tek krijimi i dinamikave për krijimin e një hapësire ftuese e cila ruan e promovon trashëgiminë kulturore në qytet e më gjerë.
Viti 2023 shënoi një rekord vizitueshmërie të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” me një numër total prej 19220 vizitorësh (52,7% femra dhe 47,3% meshkuj) shifër kjo 22% më e lartë se në vitin 2022.