Muzika “sfidon” temperaturat / Frederik Ndoci dhe Elsida Sinaj i dhanë gjallëri atmosferës në shesh me këngët shkodrane
Shkodranët kanë vendosur t’i sfidojnë temperaturat e ulëta të dhjetorit me muzikë dhe festë. “Zemra e qytetit”, sheshi para bashkisë, çdo mbrëmje ofron muzikë për qytetarët e pranishëm në të. Frederik Ndoci dhe Elsida Sinaj ishin dy prej artistëve që i dhanë gjallëri ambientit festiv me koncertin që zgjati gati dy orë.
Festës iu bashkuan qytetarë të shumtë që nuk mund t’i rezistonin tingujve të bukur të “Luleborës”, mes tyre edhe vetë Kryetari i Bashkisë Benet Beci së bashku me bashkëshorten.
Jo vetëm spektatorët në shesh morën energjinë pozitive të kësaj nate, por edhe vetë artistët.
Koncerti do të transmetohet i plotë në ditët në vazhdim për të gjithë shikuesit e rrjetit të RTSH. Pragfestat e fundvitit në Shkodër po shoqërohen me aktivitete të larmishme për të gjitha grupmoshat ndërsa koncertet muzikore do të vazhdojnë të prodhojnë atmosferë mbrëmjeve të dhjetorit deri në fundin e tij.