Nafta në Shpirag, Ministria e Infrastrukturës: S’ka mbyllje kërkimesh, “ari i zi” është gjetur, problem formacioni gjeologjik
Ministria e Infrastrukturës ka hedhur poshtë të gjitha zërat se kërkimet për naftë në Shpirag kanë dështuar dhe se kompania SHELL është larguar.
Në një deklaratë për mediat, Ministria e Infrastrukturës sqaron se nuk ka mbyllje kërkimesh në Shpirag, pasi tashmë është vërtetuar se në të është gjetur naftë dhe gaz, por problemi qëndron në gjetjen e teknologjisë së duhur moderne për të shfrytëzuar “arin e zi” për shkak të formacionit gjeologjik të zonës.
Ministria e Infrastrukturës sqaron se është zbuluar një depozitë e konsiderueshme me 225 milionë fuçi rezerve nafte e një cilësie të mirë dhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut.
Problemi, shton Ministria e Infrastrukturës, është formacionit gjeologjik tejet kompleks i nëntokës së kësaj zone. Kjo kërkon adoptimi i një teknologjie të veçantë për shfrytëzimin e rezervës, shtoi MIE, “prandaj edhe kompania SHELL, specialistët e fushës, si edhe autoritetet shtetërore kanë qenë vazhdimisht të kujdesshëm për afatet kohore të nevojshme”.
“Procesi i kërkimeve për naftëgazmbajtjen në zonën e Shpiragut, si një ambicie strategjike dhe program afatgjatë i Qeverisë Shqiptare, nisur me miratimin e Kontratës me Ndarje Prodhimi në Korrik 2009, vazhdon me vështirësitë përkatëse si pasojë e formacionit gjeologjik tejet kompleks të nëntokës së kësaj zone. Tanimë jemi në fazën kur është shkencërisht i provuar dhe i dokumentuar, zbulimi i një depozite të konsiderueshme prej 225 milionë fuçi rezervë nafte, si edhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut.
Gjithashtu testet e cilësisë së naftës në këtë rezervë kanë dhënë një rezultat të shkëlqyer, me një gravitet që varion midis 35-37o API (American Petroleum Institute) ose e thënë ndryshe, një cilësi në thuajse të njëjtët parametra me naftën e vendeve avangardë në tregun e arit të zi.
Koha e finalizimi i procesit të nxjerrjes së kësaj sasie nafte për treg, kushtëzohet nga gjeologjia shumë specifike e nëntokës së Shpiragut dhe adoptimi i një teknologjie të veçantë për shfrytëzimin e rezervës, prandaj edhe kompania SHELL, specialistët e fushës, si edhe autoritetet shtetërore kanë qenë vazhdimisht të kujdesshëm për afatet kohore të nevojshme.
Por në kushtet e diziformimit të ditëve të fundit, nga mungesa e informacionit të nevojshëm apo dashakeqësia me frymëzim politik, del nevoja e nënvizimit publikisht të së vërtetës se kjo është një marrëveshje hidrokarbure në fuqi dhe se nuk ka asnjë mbyllje të kërkimeve në Shpirag, por ka vetëm kërkim për zgjidhjen e duhur teknologjike për vënien në shfrytëzim të një pasurie nëntokësore tanimë të zbuluar.
Është për të ardhur keq që me një ngut cinik disa burime dizinformimi kanë rendur të njoftojnë dështimin e kërkimeve në një prej vendburimeve më të rëndësishme të vendit tonë, duke u përpjekur të bëjnë politikë partiake edhe me këtë proces tërësisht teknik dhe qartësisht me interes kombëtar.
E sigurojmë opinionin publik, se Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vijojnë pa asnjë mëdyshje punën, në ndërveprim me kompanitë partnere për të bërë të finalizuar procesin e shfrytëzimit të naftës së zbuluar në zonën e Shpiragut, në pritje të lajmeve të tjera të mira në zona të tjera naftëmbajtëse në vend, ku ka të dhëna shumë inkurajuese”, thuhet në njoftimin e MIE.
Përpjekjet për gjetjen e “arit të z’ në Shpirag janë një kalvar i gjatë 10-vjeçar, por në 2019 Ministria e Infrastrukturës firmosi marrëveshjen me SHELL për gjetjen e burimeve të naftës, që sot tashmë është faktuar që ka, por se kur do të nxirret për përdorim ende nuk ka një afat kohor.