Najada Çomo: Shtim i rasteve me COVID-19, vaksinim njëkohësisht me atë të gripit
Drejtoresha e Spitalit Infektiv, Najada Çomo i bëri apel sot qytetarëve të jenë të kujdesshëm pasi ka një shtim të numrit të rasteve me COVID-19, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë.
Në një prononcim Çomo theksoi se “ka shtim të numrit të rasteve të shtruar në spital nga muaji gusht deri në shtator. Aktualisht në spital janë të shtruar rreth 13-14 persona”.
E pyetur nëse ka ndikuar numri i lartë i turistëve që kanë ardhur këtë sezon veror në vendin tonë në shtimin e rasteve, Çomo theksoi se edhe në gushtin e kaluar që nuk kishte kaq shumë turistë, shifra e personave të shtruar ka qenë e lartë.
Të prekurit nga COVID-19 kanë një larmishmëri simptomash.
“Më shumë ka dominuar prekja e sistemit tretës, por në spital shikohen edhe prekje të sistemit nervor, të zemrës etj”, shtoi Çomo.
Çomo u bën apel qytetarëve që të vaksinohen, veçanërisht personat që janë grupe risku që kanë sëmundshmëri kronike, stafet mjekësore që janë më të ekspozuar ndaj COVID-19, pastaj grupmosha tjetër.
Ajo këshillon që vaksina kundër COVID-19 dhe ajo e gripit, e cila vjen në muajin tetor të bëhen të dyja bashkë.
“Këshilla ime më e madhe për qytetarët mbetet që përqafimet, apo shkuarja tek pacientët në spitale apo që janë në kushte shtëpie dhe kanë dalë nga spitali të evitohen, pasi janë potencial për të transmetuar virusin personave që kanë sëmundje kronike rishtaz apo që kanë bërë ndërhyrje”, apelon Çomo.