Narkotrafiku dhe zotëruesit e armëve pa leje, Balla: Do ju ndjekim këmba-këmbës

bae914aa58cd4e4ab8cc515513a88cb1
Policia e Shtetit do të vazhdojë t’i ndjekë “këmba-këmbës” shkelësit e ligjit, ka paralajmëruar ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Autoritetet ligjzbatuese po zhvillojnë dy operacione në shkallë kombëtare për vepra të ndryshme kriminale të organizuara në grup ose individualisht: “Tempulli” është operacioni në vazhdën e luftës kundër narkotrafikut, ndërsa “Sundimi i ligjit” është fokusuar te ndalimi i shtetasve që veç të tjerave qarkullojnë me armë zjarri pa leje.
“Garantimi i rendit dhe i sigurisë lidhet ngushtësisht me luftën kundër armëmbajtjes pa leje si një burim potencial i krimeve të rënda kundër personit. Dy operacionet kombëtare ‘Tempulli’ dhe ‘Sundimi i ligjit’ vijojnë të ndjekin këmba këmbës shpërndarësit e lëndëve narkotike, poseduesit e armëve pa leje, si dhe ndalimin e shtetasve në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.
Në Kavajë janë vënë në pranga 4 shtetas dhe është sekuestruar lëndë narkotike kanabis, gati për shpërndarje.
Në Tiranë janë sekuestruar dy armë zjarri e municion luftarak, si dhe është vënë në pranga poseduesi i tyre,” reagoi ministri Balla, duke shtuar se priten më shumë rezultate çdo ditë.