Nata finale e Fest 62- Zgjidhet fituesi i Festivalit dhe përfaqësuesi në Eurovizion
Sot është nata finale e Festivalit të Këngës në RTSH ku do të zgjidhet fituesi i edicionit të 62 nga juria me 11 anëtarë profesionistë.
Në skenë sot do të përformojnë 22 këngëtarë, 8 prej të cilëve janë artistë të rinj debutues. Por në garën për në Eurovizion do të jenë të 31 pjesëmarrësit e këtij edicioni dhe do të jetë vota e teleshikuesve që do të përcaktojë përfaqësuesin e Shqipërisë në kompeticionin europian.
Ndërkohë natën finale të Fest 62 do të kenë mundësi ta ndjekin gjithë shqiptarët e rajonit, pasi do të transmetohet drejpërsëdrejti në disa televizone publike, në vendet ku ata jetojnë.
Për teleshikuesit nga Kosova, nata e fundit e festivalit do të transmetohet në kanalin kryesor të Radio Televizionit të Kosovës ndërsa tre netët e kaluara janë transmetuar në kanalin muzikor të RTK-së.
Nata finale e Fest 62 do të transmetohet drejpërsëdrejti edhe në Maqedoninë e Veriut përmes valëve të kanalit të dytë maqedonas, atij në gjuhën shqipe.
Për herë të parë në historinë e festivaleve, nata finale e Fest 62 do të transmetohet edhe në Malin e Zi në kanalin shqip të radios së Malit të Zi, i vetmi kanal atje që transmeton shqip 24 orë.