NATO mesazh Rusisë, mos guxo ta kalosh vijën/ Ish-gjenerali,Kollçaku, zbulon detaje nga stërvitja më e madhe që nga Lufta e Ftohtë
Ish-gjenerali i Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku, njëkohësisht deputet i PS, zbulon për RTSH-në detajet nga stërvitja më e madhe ushtarake që prej fundit të Luftës së Ftohtë, që NATO’ ka nisur së fundmi.
Kollçaku tha në “Ekspres” se stërvitja e NATO-s, e quajtur “Steadfast Defender 24”, përfshin mbi 90.000 trupa nga të 31 anëtaret e aleancës ushtarake, si dhe nga Suedia.
“NATO është duke i dhënë një mesazh të qartë Rusisë. Mos guxo që ta kalosh vijën. Si do dhe të sigurojë vendet e Evropës Lindore që nuk janë vetëm”, tha ai.
Këto manovra ushtarake të NATO-s, tha deputeti socialist, do të zhvillohen në tokë, det dhe ajër në një afat kohor prej katër muajsh në 12 shtete të ndryshme dhe kryesish do të jenë në kufirin lindor të Europës.
“Do të jenë mbi 90 mijë trupa që do të testojnë boshtin Trans-Atlantik. Një nga testet që do të zhvillohet është dhe dislokimi i forcave dhe shpejtësia e lëvizjes në të gjithë hapësirën territoriale të mbrojtur nga NATO dhe ku janë gati 12 vende ku do të zhvillohet kjo stërvitje. Stërvitja do të zhvillohet në krahun lindor të aleancës, nga vendet Baltike, Sllovakia, Hungaria, Rumania, ku deri në 31 maj do jetë gjatë ushtrimit të stërvitjes. Do të jenë 80 luftë-anije, aeroplan mbajtëse, Kryqëzorët dhe Destrojerët. Gjithashtu do të marrin pjesë mbi 80 platforma ajrorë ku do të jenë dhe avionët më të sofistikuar, F-35,F-15 ,F-18, etj. Pra do të jetë e gjithë teknologjia dhe gjeneratat e fundit”
Kjo stërvitje tha ai është mesazh që NATO jo vetëm i dërgon Rusisë apo vendeve të treta që destabilizojnë rajonet të caktuar por është dhe një provë për vetë anëtarët për mënyrën e vendosjes së trupave, dislokimin dhe mbulimin e në një kohë të shpejtë gjithë territorin e saj.
“Sot pas dy vjet të nisjes së agresionit rus në Ukrainë jemi ende në një pozitë të pasigurte. Jemi të pasigurtën se nga njëra anë kemi vendosmërinë e Putinit për të vazhduar luftën dhe të nënshtruar Ukrainën , pavarësisht se ai ka dështuar me sukses që në muajt të parë të ofensivës ushtarake dhe ende situata është e paqartë. Kemi kthimin e industrisë civile ruse në industri ushtarake. Ku baza ushtarake civile ruse është kthyer në një bazë ushtarake ku prodhohet tanke, transportues të blinduar, municione artilerie me rritem të papara, duke rikuperuar humbjet në front. Nga ana tjetër kemi lodhje të perëndimit dhe forcave mbrojtjes së Ukrainës. Ka lodhje dhe nga vendet që mbështetin Ukrainën”.
I pyetur nga gazetari i “Ekspres” Nolian Lole se si mund të mbrohet Kosova nëse ka një situatë agresioni nga ana e Serbisë, ish-shefi i Shtabit Kollçaku tha se, “nëse ndodh një agresion nga Serbia drejt Kosovës ka dhunuar Rezolutën 12/44 dhe ka vënë në rrezik vendet e NATO që siguron stabilitetin në Kosovë”.
Sipas tij, ne jemi pjesë e NATO-s dhe nuk mund të reagojmë të vetëm në mbrojtjen e Kosovës , në raste ka agresion nga ana e Serbisë. Nuk mund të ndodh një Kryeministër shqiptar që të ngrihet dhe të marr një vendim jashtë anëtarëve të NATO-s.
“Në bazë të artikullit 3 Shqipëria si anëtare e NATOS ka detyrimin që ti vendos në gatishmëri hapësirën territoriale, taksorë dhe ajrorë për të shkurajuar çdo agresion në ditët e para sikurse bëhet plani i mbrojtjes”, u shpreh ai.
Në përfundim Kollçaku ndahu lajmin për shikuesit e RTSH-së se, “nesër kalojmë në parlament dokumentin kryesor të strategjisë të sigurisë kombëtare që ka si qëllim forcimin dhe shtimin e kapaciteteve ushtarake”.