NATO: Nuk kemi plane të dërgojmë trupa në Ukrainë
Mes raportimeve të disa vendeve perëndimore se mund të konsiderojnë vendosjen e trupave në Ukrainë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Aleanca nuk ka plane të dërgojë trupa luftarake në Ukrainë.
Stoltenberg tha se aleatët e NATO-s po ofrojnë mbështetje të paprecedentë për Ukrainën.
“Ne e kemi bërë këtë që nga viti 2014 dhe jemi rritur pas pushtimit rus. Por nuk ka plane për trupa luftarake të NATO-s në terren në Ukrainë. Kjo është një luftë agresioni nga Rusia kundër Ukrainës, duke shkelur hapur ligjin ndërkombëtar. Sipas të drejtës ndërkombëtare, Ukraina sigurisht që ka të drejtën e vetëmbrojtjes dhe ne kemi të drejtë t’i mbështesim ata në mbrojtjen e kësaj të drejte. NATO si aleancë i ofron Ukrainës vetëm ndihmë dhe mbështetje jo-vdekjeprurëse si furnizime mjekësore, uniforma dhe pajisje dimërore, por disa anëtarë dërgojnë armë dhe municione. Çdo vendim që organizata të dërgojë trupa do të kërkonte mbështetje unanime nga të gjitha vendet anëtare”, tha Stoltenberg për AP.
Më herët presidenti francez Emmanuel Macron se dërgimi i trupave perëndimore në terren në Ukrainë nuk duhet të përjashtohet në të ardhmen.
“Ne do të bëjmë gjithçka që nevojitet në mënyrë që Rusia të mos mund ta fitojë luftën. Sot nuk ka konsensus për dërgimin e një force të kombinuar, por asgjë nuk mund të përjashtohet”, tha Macron.
Lufta në Ukrainë e nisur nga presidenti rus Vladimir Putin është tani në vitin e tretë, pa asnjë shenjë se lufta mund të përfundojë së shpejti.