Navalni ishte gati të lirohej përmes shkëmbimit me oficerin e shërbimit sekret rus
Politikani rus Aleksei Navalni (o. Alexei Navalny) mund të lirohej së shpejti përmes një shkëmbimi me një tjetër të burgosur, por ai gjeti vdekjen në burg, siç pretendojnë familjarët e tij, me urdhër të presidentit Vladimir Putin.
Maria Pevçik (o. Pevchick) deklaroi se Navalni dhe dy shtetas amerikanë do të shkëmbeheshin me Vadim Krasikovin, një pjesëtar i shërbimeve sekrete ruse, i cili është burgosur në Gjermani.
47-vjeçari Navalni ndërroi jetë në burgun ku mbahej në Arktik më 16 shkurt për shkaqe natyrore.
“Aleksei Navalni mund të ishte duke u ulur këtu sot. Kjo nuk është shprehje, por mund të kishte ndodhur. Navalni mund të kishte dalë në ditët në vijim, sepse morëm vendimin për shkëmbimin e tij. Në fillim të shkurtit, Putinit iu ofrua tv shkëmbente vrasësin, oficerin rus Vadim Krasikov, që po vuan dënimin për vrasje në Berlin, në këmbim të dy shtetasve amerikanë dhe Aleksei Navalnit,” tha znj. Pevçi.
Krasikov është dënuar përjetë në Gjermani për vrasjen e dy disidentëve çeçeno-gjeorgjianë në parkun e Berlinit në vitin 2019. Në një intervistë me gazetarin amerikan Taker Karlson (o. Tucker Carlson) këtë muaj Putini u shpreh se ai donte që Krasikovi të kthehej në vendin e tij.
Sipas znj. Pevçik, shkëmbimi ishte në fazat e fundit në mbrëmjen e 15 shkurtit, por sipas saj, Navalni u vra një ditë më pas, sepse Putini nuk mund ta toleronte lirimin e tij.
Trupi i të ndjerit Navalni iu dorëzua së ëmës së tij ditën e shtunën, por ceremonia e varrimit ende nuk është shpallur. /Reuters