Navalni ndërroi jetë në burg, gruaja e tij: Putini “do përballë drejtësinë” për vdekjen
“Putini dhe regjimi i tij” do të mbajnë përgjegjësi për vdekjen e Aleksei Navalnit, u shpreh të premten gruaja e opozitarit rus.
Julia Navalnaja (o. Yulia Navalnaya) i bëri komentet gjatë pjesëmarrjes në Konferencën ndërkombëtare të Sigurisë në Mynih, Gjermani.
Pak orë më herët, në burgun ku burri i saj po vuante dënimin e nisur 300 ditë më parë, 47-vjeçari Navalni u raportua se gjeti vdekjen për shkaqe ende të panjohura.
“Nuk e di a duhet t’i besojmë lajmet tronditëse që marrim vetëm nga mediet shtetërore, sepse e dini prej vitesh që nuk mund t’i besojmë Putinit dhe qeverisë së tij. Ata gënjejnë gjithmonë, por nëse është e vërtetë, dua që i gjithë stafi i Putinit, të gjithë rreth tij, miqtë e tij në qeveri, dua që ta dinë se do të mbajnë përgjegjësi se si janë sjellë me vendin tonë, familjes time dhe burrin tim. Do të vihen para drejtësisë dhe ajo ditë do të vijë shpejt. Dua t’i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar, të gjithë njerëzve nëpër botë që të bëhemi bashkë dhe të luftojmë kundër kësaj të keqeje, të luftojmë regjimin e frikshëm në Rusi,” deklaroi znj. Navalnaja.
Për vdekjen e Navalnit, disa liderë botërorë kanë drejtuar gishtin e fajit drejt presidentit Putin dhe sistemit politik që kontrollon ai.