Ndahet nga jeta Zamir Dule, i jepet lamtumira në moshën 55-vjeçare gazetarit të mirënjohur të kronikës së zezë

Zamir Dule i njohur si një nga gazetarët më të mirë të kronikës së zezë, ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare. Së fundmi, ai iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale pas një shqetësimi të rëndë kardiak, por gjendja e tij u përkeqësua duke bërë që ai të ndërronte jetë në një nga spitalet jopublike në Tiranë.
“Ne nuk ia arritëm t’ia dalim dot mbanë. Shoku i Zamirit, Alfred Peza, fola me Alfredin dhe ai mu gjend që në momentin që i thashë, më ndihmoi”, u shpreh Zhaneta Mersini, motra e gazetarit Zamir Dule.
Për të mbështetur familjen në kostot e ndërhyrjes u angazhuan dhe kolegët kryesisht përmes Unionit të Gazetarëve. Zamir Dule ushtroi profesionin në një kohë të vështirë për gazetarinë, në vitet ’90. Dule u tërhoq nga profesioni pai u dhunua nga policia në mars të 1997 në redaksinë e gazetës “Koha Jonë”.
“Zamir Dule ishte pjesë e historisë më të shkëlqyer të gazetarisë shqiptare në këto 33 vite. Një martir profesional, i cili për shkak për shkak të pasionit dhe këmbëbnguljes së vet profesionale u martirizua jo me humbje jete, por me cungimin e jetës vetjake” u shpreh kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa.
“E kujtoj si gazetar shumë profesionist, të lindur për atë zanat. Shqetësimi ka qenë që shkruante vazhdimisht dhe ato që ka lënë si krijimtari do të kishte dashur t’i botonte”, tha gazetari Gëzim Ashimi .
Pasi u largua nga gazetaria, Zamir Dule u kthye në fshatin e tij të lindjes në Miras të Devollit, ku jetonte me vëllain. Po në këtë fshat, i është dhënë sot lamtumira nga familjarë, miq e kolegë të cilët shprehën ngushëllime për humbjen e mikut të shtrenjtë.