Ndalet Vllaznia e volejbollit meshkuj / Kuqeblutë pësojnë humbjen e parë, mundet në Shijak
Vllaznia e volejbollit meshkuj është ndalur në javën e tretë të Kampionatit Kombëtar të Superligës. Skuadra e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja është ndeshur mbrëmjen e djeshme me Erzenin e Shijakut në transfertë. Ndryshe nga dy fitoret e regjistruara radhazi në dy javët e para të kampionatit, e para në Korçë 1-3 dhe e dyta në Shkodër, 3-0 ndaj Studentit, këtë radhë kuqeblutë janë mundur me rezultatin 3 me 1. Referuar ecurisë së takimit, seti i parë është për t’u harruar nga ekipi i Vllaznisë, teksa janë shijakasit që fitojnë me rezultatin 25 me 16.
Një reagim pozitiv duket në setin e dytë, duke u shfaqur një Vllazni më potente në fushën e lojës. Pas disa barazimeve, janë kuqeblutë që e mbyllin me fitore me shifrat 23 me 25. Me fitimin e këtij seti duke u barazuar rezultati në 1 me 1, pritej që në vazhdim rihapja e ndeshjes për kuqeblutë, por ndodhi e kundërta. Çuditërisht Vllaznia lëshon shumë në fushën e lojës, ku gabimet e njëpasnjëshme bëjnë që vendasit të shënojnë pikë pas pike duke e fituar setin e tretë me lehtësi, gjë që e tregojnë edhe shifrat 25 me 15 për shijakasit.
Rezultati i seteve shkon në 2 me 1 në favor të Erzenit. Vllaznia ka edhe një mundësi që duke e fituar setin e katërt ta çojë ndeshjen në shtesë me set final. Megjithë ndërhyrjet e trajnerit Kalaja duke kërkuar të motivojë skuadrën, ritmi i kuqebluve vazhdon të jetë i dobët. Kjo i jep mundësi Erzenit vendas të drejtuar nga trajneri Ilia Koja, që ta mbyllë me fitore edhe këtë set me shifrat 25-17 duke e fituar kështu të gjithë ndeshjen me rezultatin 3 me 1.
Krahas ndeshjes, Erzeni-Vllaznia, e fituar nga shijakasit me rezultatin 3-1, mbrëmjen e së premtes janë zhvilluar edhe dy ndeshje të tjera për javën e tretë të Superligës së volejbollit meshkuj. Tirana ka fituar në transfertë me Partizanin, 0-3 dhe po kështu edhe Partizani fiton në transfertë me Studentin me të njëjtin rezultat, 0-3. Me këtë humbje të pësuar në Shijak, Vllaznia e volejbollit meshkuj ka lëshuar kreun duke zbritur në vendin e tretë të renditjes.