Ndarja nga jeta e Henry Kissinger, reagon Rama: Lamtumirë bos
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të Henry Kissinger, ish-sekretar i shtetit amerikan dhe këshilltar për sigurinë kombëtare, i cili u arratis nga Gjermania naziste në rininë e tij për t’u bërë një nga figurat më me ndikim dhe më kontrovers të politikës së jashtme në historinë amerikane.
Përmes një postimi në “Facebook”, ai i ka dhënë lamtumirën, duke e cilësuar ‘bos’.
“Librat Tuaj i mbeten njerëzimit si pasuria e paçmueshme e një eksperience dhe urtësie të rrallë, e do të jenë në dispozicion të kujtdo sot e gjithmonë, që do të dojë të aftësohet mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe gjeopolitikën; balancat mes fuqive dhe realizmin politik në ruajtjen e paqes e në projektimin e rrugëdaljeve nga konfliktet ndërshtetërore; të menduarit strategjik dhe perspektivën afatgjatë të politikës së jashtme; rolin e shkencës joekzakte të historisë dhe rëndësinë e talentit të individit kur duhen marrë vendime përballë mjegullës së të nesërmes… Mua personalisht do të më mbetet edhe mirënjohja për kohën e çmuar që më kushtuat bujarisht, duke më dhuruar një ndër bisedat më të bukura që mbaj mend. U prehshi në paqe Dr.Kissinger”, shkruan në mesazhin e tij Kryeministri Rama.