Ndarja nga jeta e Mirush Kabashit, Zamira Kita dhe Margarita Xhepa: Humbje e madhe, ja cila ishte dëshira e tij

Zamira Kita dhe Margarita Xhepa

Zamira Kita dhe Margarita Xhepa

Teatri, filmi, arti, por dhe gjithë shqiptarët, janë sot në zi për “Nderin e Kombit” që mbylli sytë përgjithmonë. Kolegët me të cilët Mirush Kabashi ka punuar në role të ndryshme, e kujtojnë sot artistin e madh, mes lotësh.

Aktorja Zamira Kita në një lidhje telefonike në emisionin “Jetë Shqiptare”, e konsideron një dhembje dhe humbje të madhe për të gjithë shqiptarinë, ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit.

Ajo u shpreh se Mirush Kabashi ishte një aktor brilant, mendimet e të cilit ishin mjaft të vyera për të gjithë aktorët dhe brezat e rinj.

Ngjarje shumë e hidhur. Dhembje dhe humbje e madhe, jo vetëm për artin teatror, artin në përgjithësi, por për gjithë shqiptarinë.

Është gjithë ai publik, gjithë ata artdashës që e ka dashur dhe duartrokitur Mirush Kabashin, këtë kolos të teatrit dhe filmit shqiptar, këtë personazh të madh i cili mban dhe vlerësimin më të madh “Nderi i Kombit”. Unë kam pasur një njohje shumë të mirë të afërt, shumë miqësi me Mirushin.

Ajo është forcuar në 10 vitet e fundit, kur ne në Korçë kemi zhvilluar Koko Fest, dhe Mirushi ka qenë pjesë e gati 10 edicioneve. Ai vinte në Korçë dhe i ndiqte të gjitha shfaqjet dhe ajo që ne kemi përfituar nga prania e tij është mendimi, vlerësimi, këshillat që jepte.

Ai ishte një aktor brilant i komedisë. Mendimet e tij ishin shumë të vyera, shumë të vlefshme, jo vetëm për ne që organizonim, por dhe aktorët. Mirushi ka merituar dhe çmimin e karrierës që Koko Fest jep çdo vit.

Mirushi kishte karrierë të gjatë, të pasur, shumë cilësore. Ai ishte aktor i pikuar me talentin e tij, por dhe një aktor shumë punëtor. Mirushi është shembull për ne e brezat pas nesh.

Ai nuk lodhej kurrë nga puna. Mirushi ishte dhe një notar i zoti. Sporti dhe arti janë të lidhura ngushtë”, tha Kita e cila ndau me publikun dhe komunikimet e fundit që ka pasur me Mirush Kabashin.

“Komunikimi i fundit ka qenë para disa kohësh kur ai s’mund të vinte në Koko Fest dhe më pas kur e kam pyetur për shëndetin. Ka kohë që s’kam komunikuar më, duke mos dashur ta shqetësoj. Dëshira ishte që ai të kthehej dhe të ndiqte shfaqjet e Koko Fest dhe për të qenë prezent në premierat që organizonim.

Do doja që të shprehja ngushëllimet familjes dhe gjithë artdashësve. Nuk punojnë më brezat si kanë punuar të parët tanë në fushën e teatrit dhe filmit.

Ai thoshte se “të rinjtë duhet të punojnë më shumë, duhet të ketë disiplinë”. Ai e ndjente se disiplina nuk ka qenë si më parë, sado talent të kesh, mungesa e punës të lë pas”, tha Kita.

Një tronditje dhe trishtim i madh ka qenë lajmi i ndarjes nga jeta të Mirush Kabashit, për aktoren e mirënjohur Margarita Xhepa.

Ajo u shpreh se Mirush Kabashi e donte shumë teatrin dhe artin dhe prandaj punoi me përkushtim duke krijuar personalitete artistike të pazakonta.

“Tronditje, trishtim. Ishte një aktor që e deshi teatrin, artin dhe punoi me përkushtimin më të madh duke krijuar personalitetin e tij artistik të pazakontë, të veçantë.

Si në teatër dhe kinematografi në të cilën ai ka krijuar karaktere nga më të ndryshmet, shkëlqimi i tij ka qenë nga më të ndryshmet. Ishte punëtor i madh, e donte shumë artin, punonte me seriozitetin më të madh. Karakteret e tij të veçanta kanë mbetur në memorien tonë. Sigurisht mbreti i roleve të tij është Apologjia e Sokratit ku u vlerësua me çmime brenda dhe jashtë vendit, duke përfaqësuar artin me dinjitet shqiptar.

Do kujtoj filmin “Koncert në vitin ’36”. Mbetet kujtim i paharruar. Mirushi shkëlqente me vërejtjet dhe thjeshtësinë e tij. Krijoi një personazh të pazakontë, krejt ndryshe. Në fillim e prisha dublën sepse më kapi gazi”, tha Xhepa.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.