Ndërhyrje në argjinaturën e Darragjatit / Bordi i Kullimit në Lezhë u vu në lëvizje pas kërkesës nga Bashkia e Shkodrës
Argjinatura e Darragjatit e dëmtuar gjatë përmbytjeve të vitit 2010, dhe 2018 në zonën e Dajçit i është nënshtruar ndërhyrjes. Kjo pas një kërkesë të bërë nga Bashkia Shkodër ndaj Bordit të Kullimit për rrezikun që i shfaqej zonës në rast të përmbytjeve. Për të parë nga afër punimet në këtë argjinaturë ka qenë vetë kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci, i cili ka inspektuar punimet ndërkohë që u shpreh se kjo është një ndërhyrje e plotë që shmang rrezikun për zonën.
Që prej muajit shtator, në territorin e bashkisë Shkodër është ndërhyrë në disa zona për pastrimin e kanaleve kulluese në Gurin e Zi, Dajç, Bërdicë, ndërkohë që deri në fund të dhjetorit të përfundojë ndërhyrja edhe në njësinë Ana e Malit. Këto ndërhyrje zvogëlojnë rrezikun e përmbytjeve nga reshjet në tokat bujqësore në këto njësi administrative.