Nderohet Lekë Koçobashi, ceremoni për ish-futbollistin kampion në stadiumin “Loro Boriçi”
Ish – futbollisti i njohur i Vllaznisë, Lekë Koçobashi, është nderuar me rastin e 80-të vjetorit të lindjes, me një ceremoni emocionuese, zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Përpara ndeshjes ndërkombëtare, Vllaznia-Valur, ish- futbollisti kampion i Vllaznisë së viteve 70-të, Lekë Koçobashi, zbriti në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”, pikërisht në këtë stadium, kur më herët ai quhej “Vojo Kushi”, ku Koçobashi fitonte në vitin 1972 titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë.
Teksa shfaqej në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”, i shoqëruar nga kryebashkiaku shkodran Benet Beci, presidenti i KF Vllaznia Alban Xhaferi dhe drejtuesit e zyrës së sportit, Auron Miloti dhe Alban Hasani, Koçobashi mori duatrokitjet e ngrohta të tifozërisë shkodrane, ndaj të cilëve ai përcjell mirënjohje në adresë të tribunave të stadiumit. Në shenjë mirënjohje për kontributin e shquar dhënë ndër vite me ekipin kuqeblu, në emër të institucionit që ai drejton, kryebashkiaku shkodran Benet Beci i ka dorëzuar Lekë Koçobashit çertifikatën e “Mirënjohjes”.
Ndërkohë, nga presideti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, Koçobashi ka marrë uniformën e Vllaznisë me numrin 80-të, aq vite sa ai ka mbi supe.
Lekë Koçobashi, është fitues i dy Kupave të Republikes me Vllazninë në vitin 1965 dhe 1972, si dhe do të shpallej kampion kombëtar në sezonet 1971-72 dhe 1973-74.
Pas largimit nga futbolli i fushës, Lekë Koçobashi, do të vijonte në detyrën e trajnerit të futbollit me ekipet e moshave, ndërkohë që sot, edhe pse në moshë 80- vjeçare vazhdon të jetë aktiv duke ndjekur Vllazninë, jo vetëm në ndeshjet zyrtare, por edhe stërvitje.