Nderohet Vera Zheji, pllakati me emrin e saj i vihet studios kryesore radiofonike të Radio Tiranës
Homazhe në nderim të zërit simbol të Radio Tiranës, Vera Zheji, janë zhvilluar sot në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar. Emri i saj tashmë ndodhet i gdhendur në studion kryesore radiofonike, teksa pllakati u zbulua nga zëvendësdrejtoresha Aurora Polo dhe e bija e të madhes Vera Zheji, Lea Plumbi-Frenz.
E emocionuar, Lea kujtoi nënën e saj si një grua të talentuar e punëtore, që gëzonte dashurinë dhe respektin e shumë njerëzve.
“Nëna ime ishte një grua punëtore, e talentuar, ishte një grua e sakrificës, ishte një grua që kishte shumë shokë dhe shoqe besnike. Nëse ka një gjë që e kujtoj me shumë kënaqësi është fakti që nëna ime kishte shumë dashamirës, njerëz që e kanë dashur dhe respektuar në çdo qoshe, i kanë hapur dyert dhe jam shumë mirënjohëse për këtë”, tha ajo.
Radio Tirana humbi zërin simbol më 17 gusht të këtij viti, kur Vera Zheji mbylli sytë përgjithmonë.
Zheji që në moshën 15 vjeçare, në shkurt të vitit 1948 nisi në mikrofonin e Radio Tiranës të bënte leximin e emisioneve letrare. Vera Zheji, shumë shpejt u bë një nga zërat më popullor dhe më të njohur në të gjithë Shqipërinë. Zërin e saj mund ta dëgjoje që në orën 5.00 të mëngjesit, duke lexuar emisione të llojeve të ndryshme.
Zheji ishte një folëse që nuk gabonte kurrë gjatë leximit. Kush nuk kujton leximin e përrallave të orës 19.00 në vitet ‘70-të nga Vera? Vera lexoi edhe lajme në italisht, gjuhë që e zotëronte shumë mirë, sepse ishte e prirur për gjuhë të huaja ashtu si vëllezërit e saj të shquar në fushën e letërsisë, Petro dhe Gjergj Zheji.
Ajo ishte edhe një aktore e talentuar dhe këtë e tregoi në disa pjesë teatrore, ku spikat komedia “Shi në plazh”.
Ajo krijoi edhe emisione të ndryshme si ‘Bota e përrallave’, ‘Universiteti popullor i radios’, ‘Enciklopedia e radios’ e disa të tjera, të cilët u identifikuan me mënyrën e saj unike të të lexuarit.