Ndërprerja e seancës për gjuhën e përdorur, Zhupa: Inskenim bajat. Noka: Ju ka hyrë frika
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka dhe deputetja Ina Zhupa në një deklaratë për media e kanë konsideruar largimin e mazhorancës nga Kuvendi si inskenim për t’iu shmangur interpelancës për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.
Zhupa u shpreh se mazhoranca tentoi të mbronte Ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu, pasi kjo e fundit, sipas deputetes, nuk ka argumente për të justifikuar krimet që ndodhin në shkolla.
“Ju ishit dëshmitarë të një inskenimi bajat që bëri mazhoranca. Nuk ishin indinjuar kur ndërroi jetë i vrarë në dyert e shkollës Martini ndërsa 3 ministre zgërdhiheshin. Ajo që ndodhi sot, ishte inskenim i pastër për të mos lejuar Manastirliun të fliste gëk-mëk. 54% e shkollave nuk kanë oficer policie, harxhohen 1 mijë euro në vit për një fëmijë në shkolla. Shkollat tona janë kthyer në shkolla krimi. Nuk kanë arsye pse dalin pedagogët në Sky dhe Enchro Chat”, deklaroi Zhupa.
Ndërsa deputeti Noka deklaroi se opozita do të vijojë rrugëtimin e saj përballë mazhorancës, ndërsa paralajmëroi përfundimin e epokës së qeverisjes Rama në zgjedhjet e 2025-ës.
“Opozita vazhdon në rrugëtimin e saj. Atyre ju ka hyrë tartakuti. Do shihni që jo vetëm do ikin nga parlamenti, por s’do kenë vrimë ku të futen”, deklaroi Noka.
Kujtojmë se seanca e sotme plenare u mbyll pas fjalës së mbajtur në Kuvend nga deputetja Ina Zhupa. Sipas mazhorancës, deputetja përdori fjalë fyese kundrejt kolegut socialist Erion Braçe dhe duhet të kërkojë falje publike.