Ndërpriten reshjet e dëborës në veri, disa rrugë ende të pakalueshme. Në Shkodër, disa zona pa drita
Në të gjithë vendin reshjet e borës dhe shiut janë ndërprerë, duke u shoqëruar me ulje temperaturash deri në -8 gradë Celcius.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se grupet e punës të mirëmbajtjes kanë punuar pa ndërprerje në të gjitha akset me prezencë dëbore për pastrimin e dëborës dhe shpërndarjen e kripës me qëllim evitimin e ngricave e temperaturave në mënyrë të menjëhershme duke shkaktuar ngrica në akset rrugore, ndaj dhe të gjitha akset kombëtare janë të qarkullueshme pa probleme.
Në bashkinë Kukës të pakalueshme mbeten rrugët që lidhin Nj.Ad Arrën me rrugën nacionale, rruga që lidh fshatin Orçikël me Nj.Ad Zapod dhe rruga që lidh fshatin Turaj me rrugën nacionale.
Në bashkinë Has të pakalueshme janë rrugët Cahan-Dajq dhe Cahan-Kishaj, ndërsa në bashkinë Tropojë nuk ka asnjë rrugë të bllokuar.
Edhe në qarkun e Shkodrës rrugët janë të pastruara dhe nuk ka probleme në qarkullim. Në akset Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth nuk ka reshje. Po punohet në kriposjen e rrugëve.
Probleme me furnizimin me energji elektrike vijon të ketë në disa zona: në fshatrat Pogaj, Kishaj, Nikoliq dhe Vlahën të bashkisë Has, në Lekbibaj, kasaj dhe Padesh në Tropojë.
Tre fidra, në Fushë arrës e Shkodër janë të stakuar, ndërsa me ndërprerje të herëpashershme të energjisë janë përballuar edhe rreth 600 abonentë në fshatrat e Pukës.
Situata e krijuar nga moti i keq me erë të fortë në Lezhë ka nisur të përmirësohet. Prej pasdites të se shtunës ka patur rënie të itensitetit të erës, duke favorizuar punën për rikuperimin e dëmeve dhe rikthimin e energjisë elektrike në zonat ku mungonte.
Punonjësit e Operatorit të Shpërndarjeje së Energjisë Elektrike në Lezhë kanë punuar përgjatë 24 orëve, duke bërë të mundur zëvendësimin e shtyllave të rrezuara dhe riparimin e linjave elektrike.