Ndërron jetë 117-vjecarja Maria Branyas, personi më i moshuar në botë
Ka ndërruar jetë në moshën 117 vjecare, Maria Branyas, një shtetas spanjolle e lindur në Amerikë. Branyas ishte cilësuar si njeriu më i moshuar në botë.
“Maria Branyas na ka lënë. Iku ashtu sic donte, në gjumë, në paqe dhe pa dhimbje” njoftoi familja e saj në një postim në rrjetin social X.
Grupi kërkimor i gerontologjisë, që verifikon dhe vlerëson detajet e personave mbi 100 vjeç, e pati renditur Branyas si më të moshuarën në botë.
Vitin e shkuar murgesha franceze Lucile Randon ndërroi në moshën 118 vjeç.
Branyas lindi në San Francisco në datën 4 mars 1907 para se familja e saj të kthehej sërish në Spanjë kur ajo ishte në moshë të re. Përvec fatit dhe gjeneve, jetëgjatësinë e saj ia kishte faturuar rregullit, qetësisë, lidhjes me familjen dhe miqtë si dhe qëndrimit larg njerëzve toksikë.
Në kohën kur ndërroi jetë, Branyas ndodhej në një azil në qytezën katalanase të Olot.
Tashmë stafeta si personi më i moshuar në botë i kalon japonezes Tomiko Itooka, që është 116 vjeçe.