Ndërron jetë Ish-prokurori zviceran Dick Marty. Hartoi raportin për “shtëpinë e verdhë” kundër UÇK-së
Ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare Ish-senatori dhe prokurori zviceran Dick Marty.
Marty ka lindur në kantonin jugor italishtfolës të Ticinos, ku shërbeu si zëvendësprokuror publik, më pas prokuror publik nga viti 1975-1989. Ai ishte anëtar i qeverisë kantonale të Ticinos nga viti 1989 deri në 1995.
I zgjedhur në Senatin Zviceran në vitin 1995, ai ishte anëtar i Partisë Radikale të qendrës së djathtë. Ai dha dorëheqjen në vitin 2011. Ndër nismat e tij ishin instalimi i një prokurori federal të pavarur dhe dekriminalizimi i abortit.
Ai u zgjodh në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës në vitin 1999 dhe kryesoi Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut nga viti 2005 deri në 2008. Ai doli në pension në vitin 2011.
Dick Marty ishte një figurë e njohur për kombin shqiptar për shkak të përfshirjes së tij në hetimet e “çështjen e UÇK-së”.
Trembëdhjetë vjet më parë, më 12 dhjetor 2010 është bërë publik raporti i Dick Martyt kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krerëve të saj, raport i cili ishte bazë për themelimin e Gjykatës Speciale të Dhomave të Specializuara të Hagës.
Në raport thuhej se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e përfshirë në trafikim të organeve njerëzore.