Ndërron jetë në moshën 68-vjeçare, ish-kryeministri i Kinës, Li Keqiang
Ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare, ish-kryeministri i Kinës, Li Keqiang. Ky i fundit ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të premte (27 tetor) si pasojë e një ataku në zemër.
Lajmi u raportua nga media shtetërore e Kinës, e cila bëri me dije se Li pati një atak të papritur në zemër mbrëmjen e 26 tetorit dhe mbylli sytë përgjithmonë në orën 00:10 minuta të ditës së sotme.
Li, shërbeu si kryeministër i vendit për një dekadë, nga 2013 deri në mars të këtij viti nën udhëheqësin e fortë Xi Jinping.
Ai mbështeti përpjekjet për të rritur punësimin dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik.
Li, i njohur për përdorimin e aftësive të tij në gjuhën angleze me raste në paraqitjet jashtë kontinentit, shihej se përfaqësonte një qasje të ndryshme ndaj lidhjeve të Kinës me botën, në një kohë kur marrëdhëniet e vendit me Perëndimin janë bërë gjithnjë e më të tensionuara.
“Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë interesa të përbashkëta. Të dy vendet duhet të vënë më shumë energji në tokën e tyre të përbashkët dhe të zgjerojnë interesat konvergjente”, tha Li në konferencën vjetore për shtyp në mars 2021.
Li, një teknokrat me arsim të lartë me diploma në drejtësi dhe ekonomi, konsiderohej miqësor me sektorin privat. Ai shihej se kishte një qëndrim gjithnjë e më të ndryshëm të politikës ekonomike nga Xi, i cili forcoi kontrollin e partisë mbi ekonominë.