Ndërron jetë nobelisti shqiptaro-amerikan Ferid Murad
Ka ndërruar jetë nobelisti i shquar shqiptaro-amerikan, dr. Ferid Murad.
Shkencëtari Ferid Muradi lindi më 14 shtator të vitit 1936 në Whiting, Indiana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dr Murati ishte mjek-farmakolog dhe studiues shqiptaro-amerikan i mjekësisë dhe fitues i Çmimit Nobel për mjekësi në vitin 1998, per zbulimin se si oksidi nitrik (NO) vepron si një molekulë sinjalizuese në sistemin kardiovaskular, duke zbuluar një mekanizëm krejtësisht të ri me anë të të cilit enët e gjakut relaksohen dhe zgjerohen.
“Ai ishte një nga emrat më të shquar të kombit tonë me të cilin jemi ndjerë krenarë të gjithë ne”, shkruhet në ngushëllimet që shprehu online Fakulteti i Mjekësisë, për familjen, kolegët e komunitetit mjekësor dhe të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen.
Babai i Ferid Muradit ishte Xhabir Murat Ejupi, një emigrant shqiptar nga Gostivari në Maqedoninë e Veriut të sotme, i cili më pas ndryshoi emrin e tij në John Murad.
Familja zotëronte një restorant të vogël ndërsa Murati ishte duke u rritur, dhe ai e kaloi rininë e tij duke punuar në biznesin e familjes.
Në klasën e tetë, iu kërkua të shkruante një ese ku të zgjidhte tri drejtime për karrierën dhe ai shkroi: mjek, mësues dhe farmacist (në 1948, farmakologjia klinike nuk ishte ende një disiplinë në mjekësi).