Ndërtesat në veri të Kosovës, Vuçiç : Serbët nuk do t’i dorëzojnë pronat e tyre
Për presidentin serb Aleksandër Vuçiç, nuk mund të ketë asnjë diskutim për dorëzimin e ndërtesave dhe pronave që serbët në veri të Kosovës i konsiderojnë të tyre. Sipas Radios Eruopa e Lirë, këto deklarata u bënë pikërisht në ditën kur skadon afati për largimin e katër institucioneve të Serbisë nga një ndërtesë komunale në Mitrovicë të Veriut.
“Ne kemi treguar vullnet të mirë, kemi biseduar me përfaqësuesit e serbëve që të pranojnë dialogun për mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Ne gjithmonë e kemi konsideruar dialogun si mënyrën e vetme për të zgjidhur problemet, dhe problemet vetëm po akumulohen” mësohet të ketë thënë Vuçiç.
Zyra për Kosovën, por edhe Lista Serbe që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar ditëve të fundit janë shprehur kundër largimit të institucioneve serbe nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut.
Nga ana tjetër, autoritetet në Mitrovicën e Veriut kanë argumentuar se objekti u përket atyre dhe se i njëjti duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve”.
Presidenti Vuçiç, konfirmoi gjithashtu se të mërkurën ose të enjten e ardhshme, delegacioni i Serbisë do të shkojë në Bruksel për bisedime me delegacionin e Kosovës në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.