Ndërtim pa leje te “Laguna e Patokut”/ Policia arreston 61-vjeçarin me banim në Laç
Një 61 vjeçar është arrestuar nga policia e Kurbinit për ndërtimin pa leje të një objekti njëkatësh në zonën “Laguna e Patokut”, në Laç. Blutë e Kurbinit bëjnë me dije se 61-vjeçari, kishte ndërtuar një objekt njëkatësh, me qëllim përdorimi për lokal, pa leje të organeve kompetente.Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të intensifikimit të kontrolleve për parandalimin e konstatimin e ndërtimeve pa leje dhe të krimeve të tjera kundër mjedisit, me fokus zonat bregdetare e zonat e mbrojtura, kanë arrestuar në flagrancë një 61 vjeçar, banues në Laç, njofton policia.Kontrollet dhe verifikimet për konstatimin e ndërtimeve pa leje dhe veprave të tjera penale kundër mjedisit, vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.