Ndërtimi i molos pranë urës së Bunës, Beci: Punimet duhet të jenë me ritme të përshpejtuara
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka inspektuar nga afër punimet që po kryhen pranë molos në hyrje të Shkodrës pranë Urës së Bunës. Beci ka kërkuar që të punohet me ritme të shpejta, pasi qytetarët e Shkodrës presin përfundimin e këtij investimi që është i integruar edhe me hyrjen e qytetit.
Moli pranë Urës së vjetër të Bunës, është një nga 3 molet e ndërtuara në brigjet e Liqenit të Shkodrës dhe në lumin Buna në kuadër të projektit “Almonit”. Ky projekt, përfitues i të cilit është bashkia Shkodër, synon të rikthejë lundrimin në lumin Buna dhe gjithashtu të zhvillojë turizmin ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Moli do të ketë përmasat 60 me 20 metra dhe një platformë lundruese 59 me 4 metra, që është shumë i përshtatshëm për varkat e lidhura.Infrastruktura e ndërtuar nga projekti i moleve në Shkodër është një hap që rikthen lundrimin në lumin Buna dhe Liqenin e Shkodrës.