Ndërtonte pa leje, arrestohet 30 vjeçari/ Po ndërtonte 4 kabina pa leje për turizëm në Bogë
Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia e Malësisë së Madhe pasi është kapur duke ndërtuar pa leje në Bogë, zonë kjo e mbrojtur, me qëllim përfitimin nga turizmi.
Policia thotë se u vu në pranga shtetasi me iniciale A.B, pasi dyshohet se kishte ndërtuar 4 objekte druri mbi platforma të betonizuara, me qëllim shtimin e ambienteve për akomodimin e turistëve që vizitojnë zonën.
Policia njofton se ‘Po ndërtonte pa leje, 4 objekte, në një zonë të mbrojtur, me qëllim përfitimin nga turizmi, kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari.
Sekuestrohen 2 automjete që përdoreshin për transportimin e inerteve. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, gjatë kontrolleve në terren, kanë konstatuar se po kryheshin punime për të ndërtuar në një zonë të mbrojtur, në Bogë, 4 objekte, pa lejen përkatëse.Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. B., 30 vjeç, pasi dyshohet se kishte ndërtuar 4 objekte druri mbi platforma të betonizuara, me qëllim shtimin e ambienteve për akomodimin e turistëve që vizitojnë zonën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.