Ndeshja Shqipëri-Çeki në “Air Albania”, rrugët që bllokohen nesër
Policia e Shtetit ka zhvilluar planin e masave për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Çeki që do të luhen më 16 nëntor në stadiumin “Air Albania”. Prej orës 15.00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara:
* Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
* Rruga “Papa Gjon Pali II”;
* Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Themistokli Gërmenji”;
* Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut;
* Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
* Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
* Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
* Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Policia paralajmëron tifozët gjithashtu se “veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, dënohen nga gjobë deri në burgim deri në tre vjet”.