Ndezja e flakadanëve nga demokratët/ Balla: Deri 5 vite burg për shkatërrimin e pronës me zjarr
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas situatës së sotme në Kuvend, ku deputetët demokratë ndezën flakadanë e letra, si dhe bllokuan zhvillimin normal të seancës plenare. Balla sjell në vëmendje Kodin Penal, përkatësisht nenet 151 dhe 154, ku përcaktohet qartë dënimi deri në 5 vite burg për veprat penale të shkatërrimit/dëmtimit me dashje të pronës me zjarr dhe me mjete të tjera.
“Kodi Penal përcakton qartësisht në nenet 151 dhe 154 veprat penale të shkatërrimit/dëmtimit me dashje të pronës me zjarr dhe me mjete të tjera, të cilat dënohen deri në pesë vite burg.
Ndërsa këto akte të rënda janë referuar në mënyrë të përsëritur në Prokurori, institucioni i akuzës duhet të garantojë se ligji zbatohet njëlloj për të gjithë dhe deputeti nuk mund t’i shmanget ligjit kurrësesi, duke përfitur apo duke u fshehur pas imunitetit”, tha Balla.