Ndihma 24 miliardë dollarëshe ndaj Ukrainës, Zelenski vizitë në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski (Zelenskiy) do të pritet në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kapitol Hill javën e ardhshme teksa ai viziton SHBA-në gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Udhëtimi i Zelenskit vjen ndërsa Kongresi po debaton kërkesën e Presidentit Joe Biden për të ofruar deri në 24 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën ndërsa ajo lufton pushtimin rus.
Plani i Zelenskit për t’u paraqitur personalisht para Asamblesë së Përgjithshme të mërkurën, si pjesë e mbledhjes vjetore të OKB-së në qytetin e Nju Jorkut, ishte i njohur më parë. Por udhëtimi i tij pasues në Uashington, ku ai pritet të takohet me Presidentin Baiden (Biden) në Shtëpinë e Bardhë dhe anëtarët e Kongresit në Capitol Hill, nuk është shpallur ende zyrtarisht.
Zelenski vizitoi për herë të fundit Uashingtonin në dhjetor, ku iu drejtua Kongresit dhe kërkoi vazhdimin e furnizimit me armë amerikane për betejën e vendit të tij kundër Rusisë, e cila do të hyjë në muajin e saj të 19-të. Që atëherë, ankthi është rritur në mesin e mbështetësve të Ukrainës, ndërsa ata kanë parë një rënie të mbështetjes publike të SHBA-së për vazhdimin e ndihmës për vendin.