Ndihma prej 61 mld- Biden fiton ndaj republikanëve, firmos projektligjin për Ukrainën
Presidenti Joe Biden nënshkroi sot projektligjin e shumë debatuar që parashikon miliarda dollarë ndihmë të SHBA-së për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë.
Kjo është fitore për presidentin Biden teksa ai kërkon rizgjedhjen duke i dhënë fund përplasjeve politike me republikanët në Kongres.
“Ajo u jep mbështetje jetike partnerëve të Amerikës, në mënyrë që ata të mund të mbrohen nga kërcënimet ndaj sovranitetit të tyre”, tha Biden, duke shtuar se fluksi i armëve në Ukrainë do të fillojë të rritet në orët e ardhshme.
Projektligji përfshin 61 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën dhe 26 miliardë dollarë për Izraelin, si dhe 1 miliard dollarë ndihmë humanitare për Gazën dhe 8 miliardë dollarë për të kundërshtuar fuqinë ushtarake të Kinës.
Biden pritet të përballet me ish-presidentin republikan Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit. Ai u ka bërë presion ligjvënësve për gjashtë muaj që të miratojnë më shumë fonde për Ukrainën e cila po përballet me agresionin rus që prej dy vitesh.
Trump kundërshtoi ndihmën ndaj Ukrainës dhe disa republikanë në Kongres refuzuan ta mbështesin atë, duke vënë në pikëpyetje nëse Ukraina mund t’i rezistojë dhe mbijetojë Rusisë.
“Ata janë një forcë luftarake me vullnet dhe aftësi për të fituar” tha Biden për ushtrinë e Ukrainës, teksa fajësoi “Republikanët MAGA” besnikë të Trumpit për bllokimin e ndihmës, duke iu referuar sloganit të Trump “Make America Great Again”
Biden nënshkroi gjithashtu një projekt-ligj të veçantë që lidhet me legjislacionin e ndihmës që ndalon TikTok-un në Shtetet e Bashkuara nëse pronari, firma kineze e teknologjisë ByteDance, nuk arrin të heqë aplikacionin popullor të videove të shkurtra gjatë nëntë muajve në vijim ose deri vitin e ardhshëm.
Platforma e mediave sociale është veçanërisht e popullarizuar me të rinjtë amerikanë me prirje të majtë, një grup vendimtar për fitoren e Biden në nëntor.
Bllokimi i Kongresit për projektligjin e ndihmës për Ukrainën përfundoi kur Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët ndryshoi papritmas kurs dhe miratoi katër projektligje që përfshinin financimin për Ukrainën, Izraelin, Tajvanin dhe partnerët e tjerë të SHBA-së në Paqësor.