Ndikimi i sanksioneve amerikane ndaj flotës ruse të naftës
Dhjetëra cisterna nafte të Rusisë, të regjistruara në kompani liberiane dhe në ato të Ishujve Marshall, e kanë ndalur lundrimin në javët e fundit, pasi Shtetet e Bashkuara e zgjeruan zbatimin e sanksioneve ndaj anijeve të lidhura me këto regjistra, sipas të dhënave të transportit dhe intervistave me zyrtarë qeveritarë dhe industrialë.
Ky ndryshim pasqyron marrëdhëniet e ngushta të SHBA-së me kompanitë e regjistrimit të cisternave nga Liberia dhe nga Ishujt Marshall, të cilat zyrat qendrore nuk i kanë në shtetet e veta përkatëse, por në Virxhinia, vetëm disa kilometra larg Uashingtonit dhe brenda juridiksionit ku zbatimi i sanksioneve amerikane është i detyrueshëm.
Si pasojë e përdorimit të madh në të kaluarën të flamujve të vendeve ku ishin regjistruar, cisternat e flotës ruse të naftës mbeten të rrezikuara nga shkelja e sanksioneve edhe nëse ato i ndryshojnë në të ardhmen flamujt duke u regjistruar në vende ku SHBA-ja nuk mund t’i prekë, sipas specialistëve të energjisë dhe sanksioneve.
“Ata e kanë krijuar një përgjegjësi dhe një rrezik afatgjatë”, tha Craig Kennedy nga Universiteti i Harvardit për Studime Ruse dhe Euroaziatike.
SHBA sanksionon dy kompani për shkelje të çmimit tavan për naftën ruse
Anijet komerciale duhet të regjistrohen patjetër, apo të bartin flamur, në një vend të caktuar për t’u siguruar se ato u përmbahen rregullave mjedisore dhe të sigurisë ndërkombëtarisht të njohura.
Reutersi i analizoi të dhënat e transportit të LSEG dhe Lloyd’s List Intelligence, dhe i intervistoi zyrtarët qeveritarë, përfaqësuesit e regjistrave dhe analistët e transportit të mallrave, për të ofruar të dhëna të hollësishme që nuk janë publikuar në të kaluarën për rolin e regjistrimit të anijeve në valën e fundit të sanksioneve amerikane kundër flotës ruse të naftës, si dhe për ndikimin që ato e kanë në transportin e naftës ruse.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, në dhjetor 2022 Grupi i Shtatë shteteve më të industrializuara G7, Bashkimi Evropian dhe Australia e caktuan një çmim tavan prej 60 dollarëve për fuçi për eksportin e naftës ruse, si pjesë e sanksioneve të gjera ekonomike me qëllim për t’ia zvogëluar të hyrat Moskës, pa e penguar furnizimin me energji në botë.
A do të ulet çmimi tavan për naftën ruse?
Kjo e ndalon përdorimin e shërbimeve detare të Perëndimit kur cisternat bartin naftë me çmim më të lartë apo më të ulët se çmimi tavan.
Një zyrtar amerikan tha, në mënyrë anonime, se kompanitë e regjistrimit nga Liberia dhe Ishujt Marshall cilësohen si shërbime perëndimore.
Prej tetorit, Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione ndaj 41 cisternave të naftës për shkak të shkeljes së çmimit tavan rus, 24 prej atyre ishin anije me flamuj liberianë, ndërsa një tjetër po përdorte flamur të Ishujve Marshall.
Pothuajse të gjitha cisternat e tjera ishin regjistruar në Gabon, përfshirë 12 nga 14 cisternat që u sanksionuan më 23 shkurt nga Departamenti i Thesarit.
SHBA sanksionon dy kompani për shkelje të çmimit tavan për naftën ruse
Ato cisterna ishin në mesin e një numri të madh të anijeve nga flota e SCF-së që ishin zhvendosur në Gabon, sipas të dhënave. Deri në fillim të shkurtit, 42 cisterna të flotës së SCF-së prej gjithsej 147 cisternash, kishin kaluar së fundmi në Gabon prej Liberisë dhe Panamasë, kryesisht.
Kompania liberiane e regjistrit i tha Reutersit së fundmi se të gjitha anijeve me flamur liberian, të cilat u sanksionuan së fundmi, do t’u hiqen flamujt liberianë.
“Të gjithë ne po jetojmë në një botë ndryshe tani dhe regjistrat duhet të përshtaten me gjendjen globale në këtë kohë”, tha kompania liberiane e regjistrit.
Ministri i Transportit i Gabonit, Loic Moudouma, tha për Reuters se shumë cisterna janë larguar nga regjistri liberian për të kaluar te ai i Gabonit së fundmi. Por, ai shtoi se Gaboni do t’i çregjistrojë ato, nëse zbulohet se ato përfshihen në veprimtari të jashtëligjshme.
A janë efektive sanksionet kundër Rusisë?
“Nëse ndonjë aleat, apo partner në botë, e kupton se një anije e Gabonit me flamur gabonez kryen veprimtari të jashtëligjshme, krejt çfarë duhet të bëjë është të na e dërgojë një dosje dhe ne do të ndërmarrim hapa për ta larguar flamurin nga ajo anije, qoftë ajo ruse apo e ndonjë vendi tjetër”, tha ai.
Panamaja nuk i është përgjigjur kërkesës së Reutersit për koment.
Ndjellja e telasheve
Sanksionet e vendosura deri tani e kanë frikësuar dhe shqetësuar industrinë e përfshirë në tregtinë ruse.
Për shembull, shumë nga anijet që nuk janë çregjistruar ende nga regjistri liberian, kanë ngecur, duke ngelur të ankoruara jashtë porteve nëpër gjithë botën, përfshirë në Detin e Zi, sipas të dhënave të transportit.
Sanksionet e Departamentit amerikan të Thesarit mund të kenë ndikim “ngjitës” në cisterna, duke i bindur tregtarët të mos bëjnë biznes me to, sipas Kennedy.
“Në një botë të quajtur dollari i tregtisë së naftës, pse duhet ta rrezikosh një marrëveshje të vlefshme miliona dollarë duke e përdorur një cisternë të bllokuar? Kështu vetëm ndjell telashe për të gjithë të përfshirët e tjerë”, tha ai.
Kalimi në flamur gabonez mund gjithashtu ta shtojë rrezikun në porte për cisternat që bartin naftë ruse.
Cili është efekti i çmimit tavan ndaj naftës ruse?
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe u bënë trysni në fund të vitit të kaluar Liberisë, Ishujve Marshall dhe Panamasë, ta rrisin rishikimin e anijeve që bartin flamujt e tyre, për t’u siguruar se ato nuk transportojnë naftë ruse nën çmimin tavan, tha një burim për Reuters.
“Ne po ia bëjmë të vështirë Rusisë ta përdorë flotën e errët, gjë që, në këmbim, do të dërgonte më shumë sasi në flotën e G7-ës, ku ofruesit e shërbimeve janë në përputhje me çmimit tavan”, tha Olga Dimitrescu, një zyrtare nga dega për zbatimin e sanksioneve të Thesarit të Britanisë së Madhe (OFSI).
Zyrtarët amerikanë thonë se cak i tyre janë praktikat e transportit në lidhje me eksportin e naftës ruse nën çmimin tavan të Perëndimit. “Ne jemi shumë të shqetësuar për evazionin, dhe mendoj se kjo është e qartë nga veprimet që i kemi ndërmarrë”, tha Claire McCleskey, një zyrtare nga dega për zbatimin e sanksioneve të Thesarit amerikan (OFAC).
“Ju mund të prisni se ne do të vazhdojmë të ndërmarrim veprime”, shtoi ajo.