Ndotje masive në Liqenin e Fierzës – Vendosen rrjeta metalike për të penguar ardhjen e mbeturinave nga Kosova
Ndotja e sipërfaqes së liqenit të Fierzës është masive sidomos pas reshjeve të shiut në verilindje dhe Kosovë. Kjo ndotje krijon pamje të shëmtuar thuajse gjatë gjithë vitit në basenin më të madh ujëmbledhës në vend ndërsa shqetëson edhe peshkatarët që e frekuentojnë më së shumti.
Rrjetat metalike të vendosura së fundmi në grykëderdhjen e lumit Drin për të penguar ardhjen e mbeturinave nga Kosova drejt Shqipërisë nuk kanë ndikuar për frenimin e tyre. Nuk mungojnë projektet dhe ndërhyrjet e tjera qoftë nga organizatat, autoritetet vendore etj por pa rezultat afatgjatë.
Ndërkaq niveli i ujit në liqen ka rënë me afër 30 metër, edhe pse prurjet për shkak të reshjeve të dy javëve të fundit janë shtuar ndjeshëm, me 300 metër kub ujë në sekondë, gjithsesi pritet përmirësim në vijim.
Aktualisht niveli i ujit është 265 metër ndërsa pika maksimale është 296 metër, nga 4 turbina që ka në total Fierza nuk po prodhon energji elektrike me qëllim ruajtjen e rezervës hidrike.