Ndryshime në Ligjin për Librin: shpërndarje në institucionet publike në të gjithë territorin e vendit
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka nisur diskutimet për ndryshime në Ligjin për Librin. Ndryshimet u prezantuan në takimin online në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të drejtuar nga deputetja Evis Kushi.
Dispozitat e reja lidhen edhe me uljen e kopjeve të botimeve në Bibliotekën Kombëtare: reduktim nga 5 në 3 kopje të botimeve që duhet të mbajë BK.
“Dy kopjet e tjera janë kopje që do të shpërndahen nëpërmjet marrëveshjeve midis Bibliotekës Kombëtare dhe institucioneve të tjera publike në të gjithë territorin e Shqipërisë”, u shpreh sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, Zerina Bruci, sipas së cilës mënyra e shpërndarjes së këtyre kopjeve do të varet nga një vendim i mëvonshëm i Këshillit të Ministrave.
Një tjetër ndryshim ka të bëjë me nxitjen e botimit të librave për personat me aftësi të kufizuar nga shtëpitë botuese, krahas botimeve të veprave me rëndësi kombëtare, historike, kulturore dhe shkencore. Si pasojë e ndryshimeve forcohet dhe ndikimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, ku do të kalojë edhe Regjistri i Botuesve. Ndërsa drejtuesi i QKLL-së, do të jetë gjithashtu dhe pjesë e Këshillit Kombëtar të Librit dhe i Nxitjes së Leximit.
Një tjetër risi do të jetë përfshirja në këtë këshill e grupeve të interesit, ku do të jenë 4 ekspertë të fushës, 2 prej të cilëve do të përzgjidhen nga ministri përgjegjës dhe 2 nga grupet e interesit.
Në ditët në vijim do të ketë dhe tre seanca të tjera, ku do të jenë të pranishëm për ndryshimet në ligj edhe grupet e interesit.