Ndryshimet klimatike, studimi: Lumenjtë e Alaskës kthehen në ngjyrë portokalli
Dhjetëra lumenj dhe përrenj në Alaskë po kthehen në ngjyrë portokalli, një pasojë e mundshme e shkrirjes së akullit të përhershëm, zbulon një studim i ri.
Arktiku është rajoni me ngrohjen më të shpejtë në glob dhe, ndërsa toka e ngrirë poshtë sipërfaqes shkrihet, mineralet dikur të mbyllura në atë tokë tani po depërtojnë në rrugët ujore.
“Është një ndikim i paparashikuar i ndryshimit të klimës që po shohim në disa nga lumenjtë më të pacenuar në vendin tonë,” tha Brett Poulin, autor i studimit dhe asistent profesor i toksikologjisë mjedisore në Universitetin e Kalifornisë, Davis.
Shkrirja e permafrostit po ekspozon mineralet ndaj oksigjenit, i cili rrit aciditetin e ujit dhe shpërndan metale si zinku, bakri, kadmiumi dhe hekuri, metali më i dukshëm që u jep lumenjve një ngjyrë në ndryshk, të dukshme edhe nga imazhet satelitore. Studimi nxjerr në pah degradimin e mundshëm të ujit të pijshëm dhe rrezikun për peshkimin në Arktik.
“Kur përzihet me një lumë tjetër, ai në fakt mund t’i bëjë metalet edhe më të fuqishëm në ndikimin e tij në cilësinë e ujërave,” tha Poulin.
Fenomeni u vëzhgua për herë të parë në vitin 2018, kur studiuesit vunë re pamjen e portokalltë të lumenjve përgjatë vargmalit Brooks të Alaskës veriore, një kontrast i fortë me ujërat e pastër kristal të parë një vit më parë.
Brenda vitit, një degë e lumit Akillik në parkun kombëtar të Luginës së Kobuk pa humbjen e plotë të dy llojeve të peshqve vendas.
“Të dhënat tona sugjerojnë se kur lumi u bë portokalli, ne pamë një rënie të konsiderueshme të makroinvertebrorëve dhe biofilmit në fund të përroit, që është në thelb baza e rrjetës ushqimore,” tha Poulin.
Ndryshkja është një fenomen sezonal, që ndodh në verë, zakonisht gjatë korrikut dhe gushtit, kur toka shkrihet më thellë./ The Guardian