Ndryshimet në ligjin për të miturit, Ballanca: Jo martesë nën 18 vjeç. Aktivistja: Abuzime me hapësirën ligjore
Ndryshimet që pritet t’i bëhen Kodit Penal dhe Kodit të Familjes për të mbrojtur të drejtat e të miturve dhe ashpërsuar dënimet me abuzimet që bëhen ndaj tyre janë vlerësuar si pozitive nga Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca dhe aktivistja Suela Koçibellinj.
E ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH, Ballanca tha se duhet të ndryshojë Kodi i Familjes që mosha për martesë të mos jetë poshtë 18-vjeç, duke iu përshtatur standardeve më të larta të të drejtave të njeriut.
“Mosha për martesat e hershme do të duhet të ndërhyhet në kodin e familjes. Sot ka një vëmendje të shtuar dhe vullnet të përgjithshme që kjo çështje të adresohet me seriozitet lidhur me martesat në moshë të hershme. Avokati i Popullit kërkon që të thotë jo martesës nën 18 vjeç. Jo çdo parashikim ligjor është në përputhje me standardet më të larta të drejtave të njeriut. Institucioni i Avokatit të Popullit garanton dhe promovon standardin më të lartë të të drejtave të njeriut. Janë organizatat ndërkombëtare që vendosin këto standarde dhe Shqipëria ka qenë e rekomanduar prej vitesh nga shumë organizata të OKB pikërisht për të eliminuar martesat e hershme dhe për të thënë se duhet ndaluar qartësisht një martese të tillë. Në Shqipëri numri i martesave të hershme është i vogël sipas INSTAT pasi ka një ndërgjegjësim të shoqërisë dhe vetë vajzave që martesën nuk e shohin si vendim të duhur në një moshë të vogël. Në duhet të ndërgjegjësojmë vajzat dhe djemtë që t’i qasen martesës në moshën e duhur”, tha Ballanca.
Edhe aktivistja Suela Koçibellinj e konsideroi nismën për ndryshimet ligjore për të miturit shumë të mirë, ku kërkohet edhe rritja e moshës për konsensus seksual nga 14 vjeç në 16 vjeç. Rritja e moshës, tha Koçibellinj, do të parandalonte ata që abuzojnë me këtë hapësirë ligjore.
“Nisma për ashpërsimin e Kodit Penal për abuzimet me të miturit është shumë i mirë. Është i nevojshëm dhe i domosdoshëm dhe duhet të rritet mosha e konsensusit seksual. Rritja e moshës së konsensusit seksual nga 14 në 16 vjeç është favor shumë i madh pasi tani po dëgjojmë se “një burrë 40 vjeç pretendon se një 15 vjeçare ka kapacitetin për të logjikuar si ai”. Pra ai ka abuzuar me hapësirën ligjore. Për mua ky ndryshim e bën të qartë që nuk duhet të dëgjojmë justifikime “ajo erdhi me dëshirën e saj”,” tha aktivistja.