Ndryshimet në ligjin për turizmin, krijohet regjistri për çdo dhomë të dhënë me qira
Ndryshimet në ligjin e turizmit synojnë t’i japin zgjidhje informalitetit të lartë, ku ka një mospërputhje të theksuar midis numrit të turistëve dhe deklarimeve që bëhen nga strukturat akomoduese.
Në ndryshimet e ligjit të turizmit bëhet e detyrueshme edhe certifikata e kategorizimit të strukturës akomoduese, e cila është pa afat dhe regjistrohet në Regjistrin Qendror të Turizmit, që administrohet nga ministria përgjegjëse për turizmin.
Një nga ndryshimet e ligjit është edhe krijimi i një regjistri të ri, pjesë e të cilit do të jenë dhomat e thjeshta private, apartamentet moderne, shtëpitë tradicionale, bujtinat e vilat që do të përdoren në funksion të turizmit.
Çdo sipërmarrës që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese duhet që të regjistrohet në QKB dhe më pas të kërkojë certifikatë kategorizimi në ministrinë e turizmit.
Çdo strukture më pas ka detyrimin të kryejë regjistrimin elektronik të klientëve me të dhënat mbi numrin e vizitorëve, netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën.
Projektligji parashikon rëndim të gjobave për të gjithë subjektet abuzuese.
Nga ana tjetër, drafti rrit mundësitë për të financuar projekte me mbështetje buxhetore, të paraqitura nga persona fizikë, juridikë, vendas ose të huaj, projekte në fushën e turizmit me rëndësi të veçantë dhe projekte të ideuara nga vetë Ministria.
Për realizmin e projekteve dhe veprimtarive në fushën e turizmit, financimi shkon deri në 100% të mbulimit të kostove.
Gjithashtu ndryshimet e ligjit te turizmit sjelli edhe përcaktimin e saktë të kompetencave të disa nga agjencive që kane lidhje te drejtpërdrejt me këtë sektor.