Ndryshimet në ‘Rregulloren e Kuvendit’, Kushtetuesja pranon ankesën e 45 deputetëve të opozitës
Gjykata Kushtetuese bëri të ditur të mërkurën se ka pranuar një ankesë të opozitës, lidhur me ndryshimin e ‘Rregullores së Kuvendit’. Pas pranimit të ankesës, Gjykata vendosi për kalimin e çështjes në seancë plenare. Ankesa për ndryshimin e ‘Rregullores së Kuvendit’ është bërë nga një grup prej 45 deputetësh.
Sipas njoftimit për shtyp, opozita i konsideron si të papajtueshme me Kushtetutën ndryshimet në ‘Rregulloren e Kuvendit’ dhe kërkon pezullimin e zbatimit të tij deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata.
“Kolegji i Gjykatës Kushtetuese vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve, e cila, sot, në datën 07.02.2024, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve. Në lidhje me kërkesën për pezullim, me shumicën e votave, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi shqyrtimin e saj në seancë plenare.”, thuhet në njoftim.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, për shkak të natyrës së kësaj çështjeje dhe pretendimeve e kërkimeve të parashtruara, shqyrtimi i saj do të bëhet nga Gjykata me përparësi, duke reduktuar, për këtë arsye, edhe afatet e palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe të qëndrimeve të tyre.