Ndryshon Kodi Rrugor, hidhet për konsultim publik ndryshimi për mjetet e rënda të transportit
Do të ndryshojnë disa nene të Kodit të Ri Rrugor që kanë të bëjnë me mjete të caktuara në trafikun kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hedhur në diskutim për një muaj projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
Sipas autorëve, projektligji i propozuar ka për objektiv disa ndryshime dhe shtesa në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë.
Ai synon të përmbushë përputhshmërinë me Direktivën e BE-së, të 17 shtatorit 2014 që ligjëron përcaktimin teknik për disa mjete të përmasave maksimale që qarkullojnë në Komunitetin Europian, në trafikun kombëtar dhe ndërkombëtar si dhe saktëson peshat maksimale të autorizuara për trafikun ndërkombëtar.
Projekti i fundit bën pjesë në angazhimet e ndërmarra në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian dhe vlerësohet nga ministria përgjegjëse e Transportit si një përparësi.
Në takimin bilateral Shqipëri-Komisioni i BE-së të shqyrtimit të legjislacionit për kapitullin 14 “Politikat e Transportit” u identifikua hendeku i përputhshmërisë së legjislacionit shqiptar me direktivat Evropiane.
“Vendosja e standarteve të kërkuara nga direktiva evropiane në lidhje me peshat dhe dimensionet, si standarte gjerësisht të përdorura në vendet e BE-së do të përmirësojë konkurrencën dhe zbatimin e ligjit midis operatorëve të transportit profesional me mjete të rënda si dhe një siguri rrugore të shtuar të këtyre mjeteve dhe ndotje mjedisore më të pakët”, thuhet në relacionin e projektligjit, përcjellë për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi