Në “arrest shtëpie”, Berisha përshëndeti mbështetësit nga ballkoni, Balla: E papranueshme
Edhe pse në “arrest shtëpie”, ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka hezituar të komunikojë nga ballkoni me mbështetësit që ishin grumbulluar poshtë banesës së tij. I pyetur në lidhje me këtë shkelje të vendimit të Gjykatës së Posaçme nga Berisha, Ministri i Brendshëm Taulant Balla e konsideroi të “papranueshëm”, por theksoi se i takon institucioneve të reagojnë.
“Gjatë arrestit në shtëpi, ke të gjitha ndalimet që ke edhe gjatë arrestit me burg, ky është kodi. Nuk do hy në asnjë koment, dua tju them që nuk kam patur asnjë kontakt me Policinë e Shtetit sa i përket detyrës që ka që shtetasi në fjalë të trajtohet njësoj si çdo shtetas tjetër në këtë vend. Policia e ka të përcaktuar nga urdhri i dy prokurorëve sesi e ushtron kontrollin në drejtim të këtij vendimi. Është e papranueshme, por megjithatë besoj që i takon institucioneve të tjera që të bëjnë komente mbi këtë, jo Ministrit të Brendshëm”, tha Balla.
Sipas vendimit të GJKKO-së, Berishës i ndalohet komunikimi me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.