Në arrest shtëpie nëna që braktisi foshnjën, burg për edukatoren që dhunoi 3-vjeçaren
Gjykata ka vendosur të lërë në arrest shtëpie nënën e re, e cila braktisi dhe i shkaktoi vdekjen foshnjës së saj të porsalindur.
Për 30-vjeçaren u caktua ekspertimi psikologjik dhe psikiatrik.
Ngjarja ndodhi ditën e mërkurë, ku foshnja, sipas të dhënave të policisë, ishte i braktisur në një divan që gjendej bodrumin e një pallati në zonën e Yzberishtit.
“Në momentin e ardhjes në reanimacion, bebi i mbuluar me gjak e baltë … ishte pa shenja jete, pa respiracione, pa tone kardiake… Pas reanimimit intensiv prej 40 minutash, shfaqi shenja jete, bradikardi të thellë, reagime të dobëta,” informuan fillimisht mjekët, duke shtuar orë më vonë se foshnja nuk ia doli të mbijetojë.
30-vjeçarja u shpreh para hetuesve se duke qenë e pamartuar dhe pa fëmijë të tjerë, ajo e kishte fshehur shtatzëninë, sepse nuk donte që të merrej vesh nga familjarët.
Burg për edukatoren që dhunoi 3-vjeçaren
Një tjetër ngjarje tronditi gjatë javës opinionin publik, dhunimi i një të miture 3-vjeçare në një kopsht privat nga edukatorja e saj.
Për 48-vjeçaren, Gjykata vendosi në fundjavë masën e arrestit me burg për “keqtrajtim të të miturve”.
E pandehura u filmua duke e keqtrajtuar të miturën, e cila tani po trajtohet edhe për këmbën e thyer, që edukatorja ka thënë se e lëndoi në hapësirat e krevatit ku flinte.