Në burg për abuzimet me fondet e SASPAC, Beqaj kërkon lehtësim të masës së sigurisë
Ish–ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj kërkon ndryshim të masës së sigurimit nga “arrest në burg” në një masë më të butë.
Ndërsa seanca ka nisur, Beqaj po paraqet argumentet e tij në lidhje me kërkesën për ndryshim të masës.
Mbrojta e ish-ministrit pretendon se nuk ka shkaqe të ligjshme për të caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”. Ata pretendojnë se Beqaj nuk ka arsye të largohet jashtë vendit apo të prishë provat.
Ish ministri Ilir Beqja është aktualisht i arrestuar për hetimet që po kryhen për akuzimet me tenderat kur ai drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Beqaj u ndalua më 4 korrik me akuzën për prokurime fiktive në të paktën 8 raste në kohën kur ishte drejtor i përgjithshëm i SASPAC-it.
Sipas SPAK prokurimet fiktive nuk kalonin përmes procedurave të rregullta ligjore. Abuzimet dyshohet se bëheshin mes Ilir Beqajt në bashkëpunim me Ermal Kurtulaj, gjithashtu i arrestuar, i cili në atë periudhë drejtonte projektin EUSAIR, pjesë e SASPAC përgjatë viteve 2022–2023.