Në burg për shit-blerje votash/ Beleri për median greke: Rasti politik i montuar, dëshmitari rrëfeu se mori ryshfet
Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili aktualisht ndodhet në burg për shitblerje-votash për zgjedhjet e 14 majit, ka deklaruar se rasti ndaj tij është i montuar.
Në një telefonatë nga burgu për televizionin “OPEN”, Beleri duke iu referuar një audio të publikuar nga Himara.gr ku Arsen Rama, dëshmitari kyç kundër tij ka dëshmuar se është paguar nga policia, u shpreh se në çdo vend demokratik këto fakte do nënkuptonin fundin e çështjes gjyqësore.
“Rasti është një rast politik i montuar, i udhëhequr nga njëra anë, duket. Pranimi i dëshmitarit dhe i drejtorit të policisë se dëshmitari ishte ryshfet, në çdo vend demokratik do të nënkuptonte edhe fundin e çështjes gjyqësore. Fakti më tronditës që doli nga seanca është se prokuroria nuk e dinte as këtë tarifë që kishte dhënë policia”, tha ai duke komentuar zvarritjen e dhënies së vendimit të Gjykatës së Lartë për kërkesën e tij për leje të posaçme për t’u betuar si Kryebashkiak i Himarës. “Ky trend tregon se ne po flasim për çdo gjë përveç drejtësisë së pavarur. Fakti që nuk më japin leje dhe më mbajnë në paraburgim ka për qëllim që të mos marr detyrën”, ka theksuar ai.
Dëshmitari kyç i akuzës kundër Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Belerit dhe bashkëpunëtorit të këtij të fundit, Pandeli Kokaveshit, ka pranuar se është paguar nga policia për të dëshmuar kundër tyre.
Kështu shkruajnë mediat greke, teksa publikojnë edhe një audio në të cilat mbështesin artikullin e tyre.
Në audio, avokati i Fredi Belerit i ka drejtuar një pyetje Arsen Ramës, nëse ka marrë pagesë nga policia, duke marrë një përgjigje të drejtpërdrejtë nga dëshmitari: ““Po, kam marrë shpërblim për këtë punë. Por shpërblimi im u dha në fund, kur u krye puna dhe më pas”.
E pyetur nga avokati se kush e ka paguar, Rama përgjigjet: “Policia e shtetit”. Kur avokati e pyeti dëshmitarin: “Sa ka qenë shuma që ka marrë për “shërbimet”, dëshmitari shmangu përgjigjen duke thënë se nuk e mban mend.